REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

Familja

Këshillë për prindërit lidhur me vajzat e tyre – Shejh Salih el Feuzan

Pyetja: Allahu ju dhëntë mirësi, kjo grua thotë: janë të shumta këshillat për prindërit që t’i pengojnë djemtë e tyre nga shoqëria e keqe, mirëpo nuk kemi dëgjuar dikë që të këshillojë prindërit për vajzat e tyre dhe për gabimet që kanë ato vajza në lidhje me celularët etj.

Përgjigja: po! Kjo pyetje është me vend dhe vërejtje e dobishme; që mos të përqendrohemi tek fëmijët – vetëm ata që janë djem – mirëpo edhe tek vajzat, sepse sot vajzat janë sikur djemtë; dalin për në shkollë, për në treg, madje dalin më shumë sesa djemtë.

Shumicën e djemve i vëren që flejnë në shtëpi nga lodhja, mirëpo vajza nuk fle. Ajo është shumë aktive për të dalë. Shejtani ia zbukuron këtë gjë asaj dhe e shtyn për të dalë.

Vajza është më parësore dhe meritore që të ruhet, këshillohet dhe ndreqet, pasi ajo është sprovë (fitne). Sprova e vajzës është më e madhe se ajo e djemve, andaj duhet treguar kujdes ndaj vajzave dhe prindërit e vajzave duhet të kujdesen për to, t’i mbikqyrin dhe t’i kontrollojnë, pasi rreziku ndaj tyre është i madh, sidomos në këtë kohë që është shtuar përzierja e njerëzve – vajza dhe djem –. Pra, sprova është më e madhe dhe kujdesi duhet të jetë po i tillë.

Prindërit e vajzave duhet të kujdesen për çështjet e tyre, t’i kontrollojnë dhe t’i dreqin, pasi ato janë amanet për ta.

Çthurja e vajzës e shëmton të gjithë familjen, la haula ue la kuvvete il-la bil-lah! Të gjithë familjen dhe shtëpinë e shëmton, ndërsa ajo vajzë bëhet si diçka pa vlerë në shoqëri. Kjo është vdekje, madje më e rëndë se vdekja që përfundon me fundin e jetës. Kjo është vdekje e burrërisë, vdekje për jetën, për Fenë dhe për moralin. Prindërit duhet t’i kërkojnë ndihmë Allahut, duhet të durojnë dhe ta kontrollojë vajzën derisa t’ia dorëzojë burrit të saj.

Më pas, nëse (prindit) i shfaqet një djalë për të cilin është i kënaqur me fetarinë dhe moralin e tij, atëherë ia jep për martesë, përndryshe ai është kujdestari i saj:

الرِّجَالُ قَوَّامُونَ عَلَى النِّسَاء

“Meshkujt kanë autoritet mbi gratë.” En-Nisa’: 34.

قُوا أَنفُسَكُمْ وَأَهْلِيكُمْ نَارًا وَقُودُهَا النَّاسُ وَالْحِجَارَةُ

“Ruani vetet dhe familjet tuaja nga Zjarri, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët.” Et-Tahrim: 6.

 

Burimi

Përktheu: Besmir Cacani