REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

Familja

Këshillë për vajzën muslimanen – Shejh AbdulAziz ibën Baz

Pyetja: shejh i nderuar! Allahu e di sa ju dua për hir të Allahut. Kërkoj nga ju o shejhu ynë, që të më drejtoni një këshillë për hir të Allahut lidhur me fenë dhe sjelljen time, sikur të këshilloni një prej vajzave tuaja. Shpresoj nga ju ta bëni këtë gjë.

Përgjigjja: ju dashtë Allahu për hir të Cilit më doni. Allahu xhel-le ue ala’ na ka treguar përmes gjuhës së Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, se ata që duhen për hir të Allahut, bëjnë pjesë tek shtatë kategoritë që janë nën Hijen e Allahut, Ditën kur nuk ka hije tjetër veç Hijes së Tij.

Ka thënë: “Shatë kategori njerëzish do të jenë nën Hijen e Allahut, Ditën kur nuk do të ketë hije tjetër veç Hijes së Tij.” Prej tyre ka përmendur dy persona të cilët duhet për hir të Allahut, takohen dhe ndahen për hir të Tij.

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Allahu thotë në Ditën e Gjykimit: “Ku janë ata që duhen për hir të Madhështisë Sime? Sot do t’i fus nën Hijen Time, Ditë ku nuk ka hije tjetër veç Hijes Time.”

Dashuria për hir të Allahut është prej virtyteve më të larta të besimit dhe prej adhurimeve me të mira.

Këshilla ime për ty o motra ime dhe për motrat e tjera, është t’i frikësohesh Allahut në çdo rast, të jesh korrekte në Fenë e Allahut subhanehu ue teala, të duash dhe të miqësosh për hir të Tij, të sillesh me njerëzit me moral të mirë, të kryesh obligimet që ke ndaj prindërve, të ruash lidhjet fisnore sipas mundësisë, të ruash kohën nga gjërat e padobishme dhe të shtosh perkujtimin (dhikrin) e Allahut subhanehu ue teala. I tillë duhet të jetë besimtari dhe e tillë duhet të jetë besimtarja. Koha duhet ruajtur, në mënyrë që të shfrytëzohet në adhurimin dhe përkujtimin e Allahut. Gjymtyrët duhet ruajtur nga haramet dhe të shtohen adhurimet ndaj Allahut.

Allahu azze ue xhel-le thotë:

إِنَّ الَّذِينَ قَالُوا رَبُّنَا اللَّهُ ثُمَّ اسْتَقَامُوا تَتَنَزَّلُ عَلَيْهِمُ الْمَلَائِكَةُ أَلَّا تَخَافُوا وَلَا تَحْزَنُوا وَأَبْشِرُوا بِالْجَنَّةِ الَّتِي كُنْتُمْ تُوعَدُونَ (30) نَحْنُ أَوْلِيَاؤُكُمْ فِي الْحَيَاةِ الدُّنْيَا وَفِي الْآَخِرَةِ وَلَكُمْ فِيهَا مَا تَشْتَهِي أَنْفُسُكُمْ وَلَكُمْ فِيهَا مَا تَدَّعُونَ (31) نُزُلًا مِنْ غَفُورٍ رَحِيمٍ (32

“Vërtet atyre që thonë: “Zoti ynë është Allahu”, e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë, do t’u zbresin melaiket (para vdekjes) e do t’u thonë: “Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni! Dhe gëzojuni Xhenetit që ju është premtuar. Ne jemi mbrojtësit tuaj në jetën e kësaj bote dhe në Botën Tjetër. Atje do të keni çfarë t’ju dëshirojë zemra dhe çfarë kërkoni, dhuratë e pasur prej një Zoti Falës dhe Mëshirëplotë.” Fussilet: 30-31.

Ky është shpërblimi për atë që qëndron korrekt në Fenë e Allahut gjatë ditës, gjatë natës dhe gjatë gjithë kohës, që i ruan gjymtyrët nga haramet, që e angazhon gjuhën dhe gjymtyrët me adhurim dhe përkujtim të Allahut, që nuk i shkel kufijtë e Allahut, që don dhe urren për hir të Tij, që miqëson dhe armiqëson për hir të Allahut, që jep lëmoshë për hir të Tij, që kryen detyrimet që ka ndaj prindërve, ndaj të afërmve, ndaj fqinjëve dhe ndaj vëllezërve muslimanë.

Porosia ime për ty dhe për muslimanet e tjera janë ato që përmenda, është devotshmëria ndaj Allahut xhel-le ue ala’, është përpjekja për të kryer detyrimet tuaja në çdo kohë dhe çast, të ruash kohën nga gjërat e padobishme dhe të angazhohesh me përkujtimin e Allahut dhe adhurimin e Tij subhanehu ue teala.

E lusim Allahun që t’i japë sukses dhe udhëzim të gjithëve.

 

Burimi

Përktheu: Besmir Cacani