Pyetja: Allahu ju dhëntë mirësi! Thotë pyetësi: kur quhet një person nxënës dije?
Përgjigja: Njeriu quhet nxënës diturie nëse e kërkon diturinë. Nëse nis të kërkojë diturinë, atëherë ai person është nxënës diturie. I vogli fillestar është nxënës diturie, mesatari është nxënës diturie, i madhi që ka zell dhe përpjekje (në nxënien e dijes) është nxënës diturie.
Çdokush që përpiqet dhe ndjek një rrugë për të nxënë diturinë, ai është nxënës diturie. Ky është një epitet (emërtim) i nderuar.
Vërtet dituria është trashigimia e pejgamberëve. Kush e kërkon diturinë, ai ka kërkuar trashigiminë më të çmuar, e kjo trashigimi është ajo e pejgamberëve dhe të dërguarve.
Kërkimi i diturisë nuk ka fund. Sa më shumë që dijetari e shton diturinë e tij, po aq e sheh të nevojshme që ta shtojë më shumë diturinë. Sado që të jetojë nxënësi i dijes, ai nuk mund të bëjë pa kërkimin e diturisë, nuk mund të heqë dorë nga kërkimi i saj, sidomos nëse është i aftë (i thëllë) në dituri, ai e shikon veten nevojtar që ta shtojë dijen. Siç thotë Allahu subhanehu ue teala:
وَقُل رَّبِّ زِدْنِي عِلْمًا
“Thuaj: Zoti im! Ma shto mua diturinë”. Taha: 114.
Burimi
Përktheu: Besmir Cacani