REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

Aktuale

Gjykimi i të shprehurit me protesta ndaj ofendimit të Pejgamberit – Shejh Salih el Feuzan

Pyetja: Allahu ju dhëntë mirësi! Kohëve të fundit po ofendohet Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në mënyrë të përsëritur dhe me forma të ndryshme përmes filmave, gazetave etj. Pyetja është: cili është qëndrimi fetar lidhur me këto ofendime? Po ashtu lidhur me këtë gjë thotë: çfarë gjykimi ka shprehja e zemërimit lidhur me ofendimin e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem duke bërë protesta?

Përgjigjja: o vëllezër, kjo nuk është diçka e re. Në kohën e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem thonin “magjistar, fallxhor, poet” etj. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem duronte dhe nuk nxitohej. Allahu e urdhëronte për durim:

وَاصْبِرْ عَلَى مَا يَقُولُونَ وَاهْجُرْهُمْ هَجْراً جَمِيلاً

“Duroji llomotitjet e atyre dhe largohu nga ata në mënyrë të hijshme!”[1]

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dëgjonte, mirëpo duronte me urdhër prej Allahut azze ue xhel-le:

وَلَقَدْ نَعْلَمُ أَنَّكَ يَضِيقُ صَدْرُكَ بِمَا يَقُولُونَ* فَسَبِّحْ بِحَمْدِ رَبِّكَ وَكُنْ مِنْ السَّاجِدِينَ* وَاعْبُدْ رَبَّكَ حَتَّى يَأْتِيَكَ الْيَقِينُ

“Ne e dimë mirë, që ty të ngushtohet zemra nga fjalët e tyre, andaj, lartësoje Zotin tënd duke e lavdëruar dhe bëhu prej atyre që i përulen Atij duke u falur! Dhe adhuroje Zotin tënd derisa të të vijë vdekja!”[2]

Ai duronte dhe i pengonte shokët e tij që mos të hakmerrej ndonjëri prej tyre, në kohën kur ishin në Mekë. Ai i pengonte shokët e tij, sepse po të hakmerreshin ndaj idhujtarëve, atëherë do t’i jepej fund Islamit në Mekë, do t’i jepej fund thirrjes që në djep. Kështu vazhdoi deri kur bëri hixhret në Medine dhe gjeti Ensarët, ku atëherë Allahu e urdhëroi për xhihad ndaj idhujtarëve, e urdhëroi për xhihad të ligjëruar.

Sa i përket protestave, shkatërrimit, vrasjes së pafajshëmve, së atyre që janë nën mbrojtje dhe besë të muslimanëve, kjo gjë është tradhëti dhe nuk lejohet. Nuk lejohet vrasja e të pafajshëmve, edhe po të jenë mosbesimtarë nuk lejohet vrasja e tyre.

وَلا يَجْرِمَنَّكُمْ شَنَآنُ قَوْمٍ أَنْ صَدُّوكُمْ عَنْ الْمَسْجِدِ الْحَرَامِ أَنْ تَعْتَدُوا

“Dhe, të mos ju nxisë urrejtja ndaj disa njerëzve, që ju penguan të vizitoni Qabenë, pra, kurrsesi të mos ju nxisë që t’i sulmoni!”[3] Nuk lejohet sulmi i të pafajshmit.

وَلا تَزِرُ وَازِرَةٌ وِزْرَ أُخْرَى

“Askush nuk ngarkohet me barrën e tjetrit.”[4]

وَإِنْ أَحَدٌ مِنْ الْمُشْرِكِينَ اسْتَجَارَكَ فَأَجِرْهُ حَتَّى يَسْمَعَ كَلامَ اللَّهِ ثُمَّ أَبْلِغْهُ مَأْمَنَهُ

Nëse ndonjë nga idhujtarët kërkon mbrojtje nga ti (Muhamed), mbroje, në mënyrë që të dëgjojë fjalën e Allahut.”[5]

Mesazhierët e idhujtarëve paraqiteshin tek Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem për diskutim. Ata hynin tek Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në xhaminë e tij dhe diskutonte me ta, megjithëse ishin idhujtarë dhe mosbesimtarë, mirëpo patjetër duhet të dihet se Islami nuk është fe e zemërimit, nuk është fe e hakmarrjes, mirëpo është fe e udhëzimit, mëshirës dhe butësisë, ashtu siç ka qenë Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.

Cili ka qenë përfundimi?! Përfundimi ka qenë se Allahu e ndihmoi Pejgamberin e Tij, e lartësoi fenë e Tij, ndërsa ata që talleshin me Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, disa prej tyre u bënë prej udhëheqësve të Islamit dhe luftëtarëve në rrugë të Allahut. Ata e pranuan Islamin dhe u bënë muslimanë të mirë, sepse Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem bëri durim me ta, u tregua i butë me ta, derisa e deshtën. Allahu xhel-le ue ala’ thotë:

وَإِنَّكَ لَعَلى خُلُقٍ عَظِيمٍ

“Me të vërtetë, ti (Muhamed) je me virtyte madhore.”[6]

Këto janë virtytet e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.

Kur mosbesimtarët i bëjnë këto veprime, ata synojnë provokimin, pastaj thonë “shikoni sjelljet e muslimanëve”, me qëllim që t’i nxisin muslimanët. Ata thonë “shikoni veprimet e muslimanëve, i vrasin ambasadorët, shkatërrojnë shtëpitë, shkatërrojnë ndërtesat, kjo është feja Islame”. Kjo është çfarë dëshirojnë mosbesimtarët, të trazojnë muslimanët me veprimet e të paditurve të tyre, apo të njerëzve të stisur në mesin e tyre. Nuk lejohet ngutja në tilla gjëra.

وَلَقَدْ كُذِّبَتْ رُسُلٌ مِنْ قَبْلِكَ فَصَبَرُوا عَلَى مَا كُذِّبُوا وَأُوذُوا حَتَّى أَتَاهُمْ نَصْرُنَا وَلا مُبَدِّلَ لِكَلِمَاتِ اللَّهِ وَلَقَدْ جَاءَكَ مِنْ نَبَإِ الْمُرْسَلِينَ

“Edhe para teje (o Muhamed!), shumë të dërguar janë mohuar, por ata e kanë duruar mohimin dhe lëndimin (që kanë pësuar), derisa u ka ardhur ndihma Jonë, sepse askush nuk mund t’i ndryshojë vendimet e Allahut. Ti tashmë ke dëgjuar për ata të dërguar.”[7]

Idhujtarët dëshirojnë t’i shfrytëzojnë këto gjëra, veprimet që bëjnë disa muslimanë, sikur vrazhdësia, shkatërrimi dhe vrasja. Puna ka arritur deri aty sa muslimanët janë përleshur mes tyre; protestuesit përleshem me forcat e rendit muslimanë. Kjo është çfarë dëshirojnë mosbesimtarët.

 

Burimi

Përktheu: Besmir Cacani

________________________

[1] El Muzzemmil 10.

[2] El Hixhr 97-99.

[3] El Maideh 2.

[4] El En’am 164.

[5] Et-Teube 6.

[6] El Kalem 4.

[7] El En’am 34.