REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

Tefsir

Komentim i ajetit “Thuajo (o Muhamed): Thirrini ata që i bëni ortakë Allahut!” – Imam Ibën Kajim el Xheuzije

Allahu i Lartësuar thotë:

قُلِ ادْعُوا الَّذِينَ زَعَمْتُمْ مِنْ دُونِ اللَّهِ لَا يَمْلِكُونَ مِثْقَالَ ذَرَّةٍ فِي السَّمَاوَاتِ وَلَا فِي الْأَرْضِ وَمَا لَهُمْ فِيهِمَا مِنْ شِرْكٍ وَمَا لَهُ مِنْهُمْ مِنْ ظَهِيرٍ – وَلَا تَنْفَعُ الشَّفَاعَةُ عِنْدَهُ إِلَّا لِمَنْ أَذِنَ لَهُ

“Thuaju (o Muhamed): Thirrini ata që i bëni ortakë të Allahut! Ata nuk kanë pushtet as sa pesha e një grimce, qoftë në qiej apo në Tokë; për ata nuk ka pjesë as në qiej, as në Tokë dhe Allahu nuk ka asnjë ndihmës nga radhët e tyre. Asnjë ndërmjetësim tek Ai nuk bën dobi, përveçse për atë që Ai jep leje.” Es-Sebe’: 22-23.

 

Imam Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë për këto ajete:

“Allahu i Lartësuar ia ka prerë idhujtarëve të gjitha shkaqet për të cilat kapen. Ai që i mediton dhe i di [për çfarë shkaqesh kapen idhujtarët], padyshim e di se kush merr për ndihmës apo ndërmjetës të tjerë veç Allahut është sikur merimanga që thur shtëpi, ndërkohë që shtëpia më e dobët është ajo e thurur nga merimanga. Allahu i Lartësuar thotë:

قُلِ ادْعُوا الَّذِينَ زَعَمْتُمْ مِنْ دُونِ اللَّهِ لَا يَمْلِكُونَ مِثْقَالَ ذَرَّةٍ فِي السَّمَاوَاتِ وَلَا فِي الْأَرْضِ وَمَا لَهُمْ فِيهِمَا مِنْ شِرْكٍ وَمَا لَهُ مِنْهُمْ مِنْ ظَهِيرٍ – وَلَا تَنْفَعُ الشَّفَاعَةُ عِنْدَهُ إِلَّا لِمَنْ أَذِنَ لَهُ

“Thuaju (o Muhamed): Thirrini ata që i bëni ortakë të Allahut! Ata nuk posedojnë as sa pesha e një grimce, qoftë në qiej apo në Tokë; për ata nuk ka pjesë as në qiej, as në Tokë dhe Allahu nuk ka asnjë ndihmës nga radhët e tyre. Asnjë ndërmjetësim tek Ai nuk bën dobi, përveçse për atë që Ai jep leje.” Es-Sebe’: 22-23.

Idhujtari merr të adhuruar të tjerë sepse beson se do të gjejë dobi dhe dobia arrihet nga ai që ka njerën nga këto katër cilësi:

  • Ose posedon atë çfarë duan adhuruesit e tij, e nëse nuk e posedon
  • Atëherë është ortak i atij që i posedon, e nëse nuk është ortak i tij
  • Atëherë është ndihmës i tij, e nëse nuk është ndihmës
  • Atëherë është ndërmjetës tek ai

Mirëpo Allahu i Lartësuar i ka mohuar të gjithë këto katër në mënyrë të renditur, duke kaluar nga më kryesorja për tek ajo më pak kryesore. Allahu ka mohuar posedimin, ortakërinë, ndihmën dhe ndërmjetësimin të cilat i hamendësojnë idhujtarët, mirëpo ka pohuar ndërmjetësimin që idhujtarët nuk do ta marrin, i cili është ndërmjetësimi me lejen e Tij.

Mjafton ky ajet si dritë, si argument, si shpëtim dhe nxitje që Allahu të veçohet me adhurim, po ashtu mjafton për atë person që e kupton, që të shkëputet nga shirku dhe dashuria për të.

Kurani është i mbushur me tilla ajete apo të ngjashme me të, mirëpo shumica e njerëzve nuk e kuptojnë se realiteti [që jeton] bën pjesë në to, por mendon se janë për një lloj apo një popull që nuk janë më dhe nuk kanë lënë trashigimtarë. Kjo është ajo që bëhet pengesë mes zemrës dhe kuptimit të Kuranit.

Nëse tillë njerëz nuk janë më, atëherë të ngjashmit me ta i kanë trashiguar, apo i kanë trashiguar me të këqinj se ata, apo më pak të këqinj se ata. Kurani i trajton të gjithë njëlloj, mirëpo çështja qëndron siç ka thënë Umer ibnul Hattabi radijAllahu anhu: “Parimet e Islamit bien njëra pas tjetrës; nëse del një brez në Islam që nuk e njeh injorancën dhe të kotën.”

 

Burimi: Medarixhus-salikin 1/601.

Përktheu: Besmir Cacani