REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

FikhZekatiZekati i Fitrit

Zekati i Fitrit – Shejh Muhamed el Uthejmin

Zekati i Fitrit është një obligim i vendosur nga Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në pëfundim të Ramazanit.

Abdullah ibën Umeri radijAllahu anhuma ka thënë:

فرض رسول الله صلى الله عليه وسلّم الفطر من رمضان على العبد والحر والذَكر والأُنثى والصغير والكبير من المسلمين

“Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e ka bërë obligim zekatin e Fitrit në Ramazan për çdo njeri të lirë apo të robëruar, mashkull apo femër, të vogël apo të madh nga mesi i muslimanëve.”[1]

Masa e zekatit është një sa’a nga ushqimi bazë i njerëzve. Ebu Said el Khudri radijAllahu anhu ka thënë:

كنا نخرج يوم الفطر في عهد النبي صلى الله عليه وسلّم صاعاً من طعام، وكان طعامنا الشعير والزبيب والأقط والتمر

“Në kohën e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e nxirrnim (e jepnim) Fitrin një sa’a me ushqim; dhe ushqimi ynë ishte elbi, rrushi i thatë, el ekit[2] dhe hurmi.”[3]

Pra, zekatin nuk e shlyejnë dhënia e parave, rrobave, ushqimit të bagëtive, orendive etj, sepse janë në kundërshtim të urdhërit të Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

من عمل عملاً ليس عليه أمرنا فهو رد

“Kush vepron një vepër që nuk është në përputhje me Fenë tonë, atëherë ajo është e refuzuar.”[4]

Masa e një sa’a është 2040 gr nga gruri i mirë; ky është sa’-i pejgamberik me anë të cilit ka peshuar dhe matur Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem zekatin e Fitrit.

Zekati i Fitrit është detyrë të jepet përpara namazit të Bajramit dhe më e mira është që të jepet ditën e Bajramit përpara namazit, mirëpo edhe nëse jepet një apo dy ditë më përpara, obligimi shlyhet.

Obligimi nuk shlyhet nëse zekati i Fitrit jepet pas namazit të Bajramit, sepse në hadithin e transmetuar nga Ibën Abbasi radijAllahu anhume, Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

فرض زكاة الفطر طُهرة للصائم من اللغو والرفث وطعمة للمساكين، فمن أدَّاها قبل الصلاة فهي زكاة مقبولة، ومَن أدَّاها بعد الصلاة فهي صدقة من الصدقات

“Zekati i Fitrit është bërë obligim si pastrim për agjëruesin nga fjalët e kota dhe të fëlliqura dhe ushqim për të varfërit. Kush e jep përpara namazit (të Bajramit), ai është zekat i pranuar, ndërsa kush e jep pas namazit, atëherë është lëmoshë e thjeshtë (sadaka).”[5]

Mirëpo, nëse bëhet me dije për Bajramin vetëm pasiqë është falur namazi i Bajramit, apo nuk gjen në vendin e tij një njeri që ta marrë zekatin e tij, në këtë rast i lejohet që ta japë pas namazit të Bajramit sapo t’i jepet mundësia.

Allahu është më i Dituri, salavatet dhe selamet qofshin mbi Pejgamberin tonë Muhamed, familjen dhe shokët e tij.

 

Burimi: Fusulun fis-sijami uet-terauihi uez-zekati fq. 30-31.

Përktheu: Besmir Cacani

______________________

[1] Buhariu nr. 1511 dhe Muslimi nr. 984.

[2] Kos i kripur dhe i ngurtësuar, gatuhet ose përdoret për gatim. (el Muaxhemu el uesijt, sh.p).

[3] Buhariu nr. 1510.

[4] Buhariu nr. 20, 2697, Muslimi nr. 1718, Ebu Daudi nr. 4606, Ibën Maxheh nr. 14 dhe Ahmedi 2/146.

[5] Ebu Daudi 1609, Ibën Maxheh 1827 dhe Hakimi 1/409. Hadithin e ka saktësuar Hakimi, ndërsa me të është pajtuar Dhehebiu.