REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

Grupacionet

Havarixhët – Shejh Salih el Feuzan

Havarixhët janë atë që dolën kundër prijësit nga fundi i periudhës së Uthmanit radijAllahu anhu. Si rrjedhojë e daljes së tyre u vra edhe Uthmanit radijAllahu anhu.

Më pas, në kohën e hilafetit të Aliut radijAllahu anhu, e keqja e tyre u shtua. Ata u shkëputën nga Aliu, i bënë Tekfir atij dhe sahabëve, ngase nuk u pajtuan me medh’hebin e tyre. Ata i gjykuan me kufër (mosbesim) ata që i kundërshtuan, e si rrjedhojë i bënë Tekfir njerëzve më të mirë, që ishin sahabët e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. E pse kjo gjë? Sepse nuk u pajtuam me ta në devijimin dhe kufrin e tyre.

Nga medh’hebi i tyre, ata nuk i përmbahen as Sunetit dhe as xhematit, nuk i binden prijësit, janë të mendimit se është prej fesë dalja kundër tyre, se pabindja është prej fesë,[1] pra e kundërta e asaj që ka porositur Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, i cili ka porositur për mos heqje dorë nga bindja, dhe e kundërta e asaj që ka urdhëruar Allahu në thënien e Tij:

أَطِيعُواْ اللَّهَ وَأَطِيعُواْ الرَّسُولَ وَأُوْلِي الأَمْرِ مِنكُمْ

“Bindjuni Allahut, bindjuni të Dërguarit dhe atyre që drejtojnë punët tuaja (prijësve).”[2]

Allahu xhel-le ue ala e ka bërë bindjen ndaj prijësit pjesë të fesë. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e ka bërë bindjen ndaj prijësit pjesë të fesë. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Ju porosis për devotshmëri ndaj Allahut, për dëgjim dhe bindje, edhe sikur t’iu caktohet për udhëheqës një rob, sepse kush do të jetojë prej jush, do të shikojë shumë mospajtime.”[3]

Pra, bindja ndaj prijësit musliman është prej fesë, ndërsa Havarixhët thonë: “Jo, ne jemi të lirë”. Kjo është metoda e kryengritjeve sot.

Havarixhët që duan të përçajnë xhematin e muslimanëve, që duan të heqin dorë nga bindja, që duan të kundërshtojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij në këtë çështje, ata janë të mendimit se kush bën gjynah të madh është mosbesimtar (kafir).

Gjynahqar i madh për shembull, është: zinaqari, hajduti, konsumuesi i alkolit; që ata mendojnë se është mosbesimtar. Ndërkohë, Ehli Suneti dhe Xhemati mendojnë se është musliman me besim të mangët.[4] Ehli Suneti e quajnë si “gjynahqar nga umeti”, andaj është besimtar me besimin që ka, mirëpo gjynahqar me gjynahun e bërë, sepse nga Islami të nxjerr vetëm shirku, apo një nga anullueset e njohura të Islamit. Sa i përket gjynaheve që nuk arrijnë në shirk, atëherë ato nuk të nxjerrin nga besimi, edhe pse janë gjynahe të mëdha. Allahu i Lartësuar thotë:

إِنَّ اللَّهَ لاَ يَغْفِرُ أَن يُشْرَكَ بِهِ وَيَغْفِرُ مَا دُونَ ذَلِكَ لِمَن يَشَاء

“Vërtet, Allahu nuk fal që të adhurohet dikush apo diçka tjetër veç Atij, por gjynahet e tjera më të vogla ia fal kujt të dojë.”[5]

Havarixhët thonë se kush bën gjynah të madh, atëherë ai është mosbesimtar, nuk e fal Allahu dhe do të qëndrojë në Zjarr përgjithmonë.

Kjo është e kundërta e asaj që ka ardhur në Kuran. Shkak për këtë është se nuk kanë dituri. Shikoni sesi shkaku që i ka dëguar në këtë gjë është padituria, sepse janë xhemat që janë theksuar në adhurim, në namaz, agjërim, lexim të Kuranit dhe kanë xhelozi të madhe, mirëpo nuk dinë; ky është problemi i tyre.

Përpjekja e madhe në ruajtjen nga gjynahet dhe bërjen e adhurimeve, duhet patjetër të shoqërohet me kuptimin e fesë dhe diturinë.

Për këtë, Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ia ka përshkruar sahabëve Havarixhët, duke i thënë se do ta nënçmonin namazin e tyre para namazit të Havarixhëve, adhurimin e tyre para adhurimit të Havarixhëve. Më pas, Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i ka thënë: “Dalin nga feja, ashtu siç del shigjeta nga gjahu”[6], me gjithë adhurimin e tyre, devotshmërinë e tyre dhe faljen natën që bënin. Ngase përpjekja e tyre nuk ka qenë mbi bazë të saktë, as mbi dituri të saktë, u shndërrua në devijim, fatkeqësi dhe ligësi për ta dhe për umetin.

Nuk dihet se Havarixhët kanë luftuar ndonjë ditë kundër mosbesimtarëve, mirëpo ata luftojnë muslimanët, siç ka thënë Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “Vrasin muslimanët dhe lejnë mosbesimtarët.”[7]

Nuk dihet në historinë e Havarixhëve se kanë luftuar ndonjë ditë kundër mosbesimtarëve dhe idhujtarëve, mirëpo gjithmonë luftojnë muslimanët. Kanë vrarë Uthmanin, kanë vrarë Ali ibën Ebi Talibin, ez-Zubejr ibnul Auamin, kanë vrarë sahabët më të mirë dhe akoma vazhdojnë të vrasin muslimanët.

E gjithë kjo, si shkak i paditurisë së tyre lidhur me fenë e Allahut azze ue xhel-le, megjithëse ruheshin nga gjynahet, bënin adhurim dhe përpiqeshin. Mirëpo, kur gjitha këto nuk janë ndërtuar mbi dituri të saktë, u shndërruan në fatkeqësi për ta.

Imam Ibën Kajimi thotë duke i përshkruar Havarixhët:

Ka argumente që janë shkujdesur në kuptimin e tyre

Andaj gabuan nga shkujdesja lidhur me diturinë.[8]

Ata janë argumentuar me argumente duke mos i kuptuar ato. Janë argumentuar me argumente nga Kurani dhe Suneti lidhur me kërcënimin për gjynahet, por nuk i kanë kuptuar domethëniet e tyre, nuk i kanë kthyer tek argumentet e tjera që përmbajnë premtim për falje dhe pendim pët ata që kanë bërë gjynahe të tjera veç shirkut, andaj kanë marrë një pjesë dhe kanë lënë një pjesë tjetër. Kjo për shkak të injorancës së tyre.

Xhelozia dhe dëshira për fe, nuk mjaftojnë. Këto të fundit, duhet të bazohen patjetër mbi dituri dhe kuptim të fesë së Allahut azze ue xhel-le që buron nga dituria dhe që është i vendosur në vendin që i përket.

Xhelozia për fenë është diçka e mirë, po ashtu edhe dëshira për fenë është diçka e mirë, mirëpo ato duhen orientuar patjetër me pasimin e Kuranit dhe Sunetit.

Nuk ka njerëz më xhelozë dhe më këshillues për muslimanët se sahabët radijAllahu anhum, e megjithatë i luftuan Havarixhët, për shkak të rrezikut dhe dëmit të tyre.

Ali ibën Ebi Talibi radijAllahu anhu i luftoi derisa i vrau në formën më të keqe në luftën e Nahravanit. Në këtë mënyrë, u realizua ajo që kishte lajmëruar Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, përgëzimi i tij me të mira dhe me Xhenet për vrasësit e Havarixhëve. Kështu pra, ai që i vrau ishte Ali ibën Ebi Talibi, i cili arriti përgëzimin e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem; i vrau që të largonte nga muslimanët dënim e tyre.

Është detyrë për muslimanët në çdo kohë, që kur të sigurohen se ky medh’heb i poshtër është prezent, atëherë fillimisht ta ndreqin duke bërë thirrje për tek Allahu me dituri dhe duke i mësuar njerëzit, e nëse nuk shfaqin [se janë rregulluar dhe ndrequr], atëherë i luftojnë që të largojnë dëmin e tyre.

Ali ibën Ebi Talibi radijAllahu anhu, i dërgoi Havarixhëve djalin e xhaxhait, Abdullah ibën Abbasin, dijetarin e umetit dhe komentuesin e Kuranit, i cili i debatoi. Si rrjedhojë e debatit, gjashtë mijë u kthyen dhe një pjesë e madhe mbeti pa u kthyer. Pas kësaj, Prijësi i Besimtarëve, Ali ibën Ebi Talibi i luftoi që të largonte prej muslimanëve dëmin dhe të keqen e tyre.

Ky është grupi i Havarixhëve dhe medh’hebi i tyre.

 

Burimi: Lemhatun anil firaki ed-daleti 21-25.

Përktheu: Besmir Cacani

________________________

[1] Pabindja ndaj prijësit. (shp)

[2] En-Nisa’ 59.

[3] Ebu Daudi 4607 dhe Darimiu 95.

[4] Edhe sikur ta bëjë gjynahun e madh duke e nënvlerësuar, nuk bën kufër përderisa nuk e konsideron të lejuar, e kundërta e asaj që thonë disa: “Se ai që bën gjynah të madh, nëse e bën duke e nënvlerësuar, atëherë ka bërë kufër që të nxjerr nga feja”. Kjo fjalë është po vetë fjala e Havarixhëve, siç e ka thënë shejhu ynë, shejh AbdulAziz ibën Baz, kur është pyetur lidhur me të në Taif vitin 1415 h.

[5] En-Nisa’ 48.

[6] Buhariu 3414, Muslimi 1064, Nesaiu 4101, Ebu Daudi 4764 dhe Ahmedi 3/5.

[7] Buhariu 6995, Muslimi 1064, Nesaiu 2578, Ebu Daudi 4764 dhe Ahmedi 3/68.

[8] El kafijetu esh-shafijetu 97.