REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

Histori dhe biografi

Historia e Hudit alejhis-selam – Shejh AbdurRahman es-Sadij

Allahu e dërgoi Hudin alejhis-selam për tek populli i tij, Adi i parë, që banonin në Ahkaf – kodrat prej rërës në Hadrameut – e kjo kur e keqja e tyre u shtua, kur u treguan kryelartë ndaj njerëzve dhe thanë:

مَنْ أَشَدُّ مِنَّا قُوَّةً

“Kush është më i fortë se ne.”[1]

Këtyre shtoji edhe bërjen shirk Allahut dhe përgënjeshtrimin e pejgamberëve të Allahut. Për këtë arsye, Allahu dergoi Hudin tek ta, që t’i thërriste për në adhurimin e Allahut të Vetëm dhe t’i ndalonte nga shirku, nga të qenit kryelartë ndaj njerëzve, që t’i thërriste me çdo mjet, e t’i përkujtonte mirësitë që ia kishte dhënë Allahu, prej të mirave të dynjasë, furnizimit të gjerë dhe fuqisë. Ata e refuzuan thirrjen e Hudit dhe u treguan kryelartë ndaj pranimit të thirrjes së tij dhe thanë:

مَا أَنتَ إِلَّا بَشَرٌ مِّثْلُنَا فَأْتِ بِآيَةٍ إِن كُنتَ مِنَ الصَّادِقِينَ

Ti je vetëm një njeri – ashtu si ne, andaj na sill një mrekulli (argument), nëse ajo që thua është e vërtetë.”[2]

Ata gënjenin me këtë pretendim, sepse Allahu i ka dhënë çdo pejgamberi argumente të besueshme për njerëzit. Po të ishte vetëm mrekullia e pejgamberëve se janë dërguar me të njejtën fe, do të ishte argumenti më i madh se është prej Allahut, për shkak të përpikërisë së saj dhe koordinimit të dobive të saja në çdo varësi të çdo kohe, për shkak të vërtetësisë së lajmeve të saja, për shkak se urdhëron për çdo të mirë dhe ndalon nga çdo e keqe, e për shkak se çdo pejgamber e miraton atë përpara tij dhe dëshmon në favor të tij, gjithashtu e miraton dhe dëshmon në favor të tij pejgamberi tjetër që vjen pas tij.

Prej argumenteve të veçanta të Hudit është vetmia e tij në thirrje, në zhvlerësimin e mendimeve (të mosbesimtarëve), në shpalljen e tyre të devijuar dhe akuzimin e idhujve të tyre. Ata ishin njerëz me fuqi dhe forcë, të cilët e frikësonin Hudin me idhujt e tyre; nëse nuk do të ndalej, atëherë do të goditej me marrëzi apo ndonjë të keqe. Hudi i sfidoi hapur dhe i tha qartë:

إِنِّي أُشْهِدُ اللَّهَ وَاشْهَدُوا أَنِّي بَرِيءٌ مِّمَّا تُشْرِكُونَ (54) مِن دُونِهِ ۖ فَكِيدُونِي جَمِيعًا ثُمَّ لَا تُنظِرُونِ (55) إِنِّي تَوَكَّلْتُ عَلَى اللَّهِ رَبِّي وَرَبِّكُم ۚ مَّا مِن دَابَّةٍ إِلَّا هُوَ آخِذٌ بِنَاصِيَتِهَا ۚ إِنَّ رَبِّي عَلَىٰ صِرَاطٍ مُّسْتَقِيمٍ

“Unë kam dëshmitar Allahun, por dëshmoni edhe ju, se unë jam larg nga idhujt që ju i adhuroni në vend të Tij. Të gjithë ju bëni komplot kundër meje dhe mos më jepni afat aspak! Unë mbështetem tek Allahu, Zoti im dhe Zoti juaj. S’ka asnjë gjallesë që të mos jetë nën pushtetin e Tij. Me të vërtetë, Zoti im, është në rrugë të drejtë.”[3]

Mirëpo ata nuk i bënë asgjë Hudit.

A ka argument më të madh se kjo sfidë ndaj atyre që përpiqeshin ta hidhnin poshtë thirrjen e tij me çdo metodë? Kur kaluan çdo cak dhe kufi, Hudi i la ata dhe i paralajmëroi se do t’i godiste dënimi. Atyre i erdh dënimi dhe iu shfaq nga horizonti. Ishte kohë vështirësie të madhe dhe nevoje për shi, andaj kur thanë të përgëzuar:

هَٰذَا عَارِضٌ مُّمْطِرُنَا

“Kjo re po sjell shiun!”[4]

Allahu tha:

بَلْ هُوَ مَا اسْتَعْجَلْتُم بِهِ

“Jo! Kjo është ajo që ju e keni shpejtuar”[5], me thënien tuaj “sillna dënimim që po na premton dhe të shohim nëse thua të vërtetën!”

رِيحٌ فِيهَا عَذَابٌ أَلِيمٌ (24) تُدَمِّرُ كُلَّ شَيْءٍ

“Një erë që mbart një dënim të dhembshëm, që me urdhërin e Allahut shkatërron çdo gjë”[6] që i kalonte pranë.

سَخَّرَهَا عَلَيْهِمْ سَبْعَ لَيَالٍ وَثَمَانِيَةَ أَيَّامٍ حُسُومًا فَتَرَى الْقَوْمَ فِيهَا صَرْعَىٰ كَأَنَّهُمْ أَعْجَازُ نَخْلٍ خَاوِيَةٍ

Të cilën Allahu ua dërgoi atyre shtatë net dhe tetë ditë pareshtur. Atëherë mund t’i vëreje njerëzit të përmbysur si trungjet e hurmave të kalbura.”[7]

فَأَصْبَحُوا لَا يُرَىٰ إِلَّا مَسَاكِنُهُمْ ۚ كَذَٰلِكَ نَجْزِي الْقَوْمَ الْمُجْرِمِينَ

E në mëngjes u panë vetëm shtëpitë e tyre të zbrazëta; ja, kështu e ndëshkojmë Ne popullin keqbërës.”[8]

Kur më herët dynjaja i qeshte atyre, kur ishin në kulmin e krenarisë, kur nuk i mungonte asgjë nga jetesa dhe kur zonat e fiset përreth i ishin nënshtruar atyre, Allahu i dërgoi një erë të acartë në ditë të një pas njëshme, për ta shijuar dënimin poshtërues që në këtë jetë; ndërsa dënimi në jetën tjetër do të jetë edhe më poshtërues dhe askush nuk do t’i ndihmojë:

وَأُتْبِعُوا فِي هَٰذِهِ الدُّنْيَا لَعْنَةً وَيَوْمَ الْقِيَامَةِ ۗ أَلَا إِنَّ عَادًا كَفَرُوا رَبَّهُمْ ۗ أَلَا بُعْدًا لِّعَادٍ قَوْمِ هُودٍ

Ata u mallkuan në këtë jetë dhe në Ditën e Kiametit. Me të vërtetë, fisi Ad e mohoi Zotin e tij. Qoftë larguar (nga mëshira e Allahut) fisi Ad, populli i Hudit!”[9]

Allahu e shpëtoi Hudin bashkë me besimtarët që ishin me të. Këtu ka argument për fuqinë e plotë të Allahut, për bujarinë e Tij ndaj pejgamberëve dhe pasuesve të tyre, për ndihmimin e tyre në jetën e kësaj dynjaje dhe Ditën e Gjykimit kur do të dëshmojnë melekët. Po ashtu, këtu ka argument për demantimin e shirkut, se pasojat e tij janë më të këqijat dhe të shëmtuarat, e gjithashtu ka argument për ringjalljen.

 

Dobitë e kësaj historie

Historia ka dobitë e përbashkëta mes pejagmberëve që janë përmendur tek historia e Nuhut. Prej dobive është se Allahu, me urtësinë e Tij, na tregon për lajmet e popujve pranë nesh në gadishullin Arab dhe përreth saj, sepse Kurani përmend metodat më të larta në përkujtim. Allahu i Lartësuar i ka shpjeguar përkujtimet në Kuran me një metodë të dobishme. Pa dyshim që Allahu ka dërguar pejgamberë në vendet larg nesh, në lindje dhe në perëndim, e ata kanë përgjigjje dhe refuzim, nderim dhe dënim sikur popujt e përmendur. Allahu ka dërguar tek çdo popull pejgamber, mirëpo na ka bërë dobi duke na përkujtuar me popujt përreth nesh dhe me atë çfarë e transmetojmë brez pas brezi, madje i shikojmë gjurmët e tyre dhe kalojmë pranë banesave të tyre në çdo kohë; kuptojmë gjuhën e tyre dhe natyra e tyre është më afër tonës. Pa dyshim që dobia e kësaj gjëje është e madhe. Është më parësore që të përkujtohemi me ta, sesa me popuj të tjerë që nuk i kemi dëgjuar, që nuk kemi lajme, që nuk ia dimë gjuhën dhe lajmet e tyre nuk na lidhen me atë çfarë na lajmëron Allahu. Nga kjo marrim, se përkujtimi i njerëzve me atë çfarë është më afër mendjeve të tyre, që është më e përshtatshme për gjendjet e tyre, më e lehtë që ta kuptojnë dhe që është më e dobishme se të tjerat, është më parësore [që të përdoret] sesa metodat e tjera, edhe nëse janë të vërteta, sepse e vërteta ndryshon. Përkujtuesi dhe mësuesi, nëse ndjekin këtë mënyrë dhe përpiqen që ta përcjellin diturinë dhe lajmin tek njerëzit sipas mënyrave që ata i kuptojnë, që nuk i largojnë, apo që janë më pranë ngritjes së argumentit për ta, atëherë do bëjnë dobi dhe do të jenë të dobishëm. Allahu e ka aluduar këtë gjë në fundin e historisë së Adit dhe ka thënë:

وَلَقَدْ أَهْلَكْنَا مَا حَوْلَكُم مِّنَ الْقُرَىٰ وَصَرَّفْنَا الْآيَاتِ لَعَلَّهُمْ يَرْجِعُونَ

Edhe më parë Ne kemi shkatërruar vendbanime rreth jush e u kemi shpjeguar atyre shpalljet Tona”, d.m.th. që i kemi bërë të larmishme në forma dhe lloje, “që ata të mund të ktheheshin (në rrugën e drejtë)”,[10] pra që të jenë më afër arritjes së dobisë.

  • Prej dobive është se: ndërtimi i banesave të mëdhaja për krekosje, për mendjemadhësi, për stoli dhe për uljen e njerëzve me anë të pushtetit, kjo është prej gjërave të qortueshme që është trashëguar prej popujve që i kanë tejkaluar caqet, siç thotë Allahu në historinë e Adit dhe si i ka kundërshtuar Hudi, ka thënë:

أَتَبْنُونَ بِكُلِّ رِيعٍ آيَةً تَعْبَثُونَ (128) وَتَتَّخِذُونَ مَصَانِعَ لَعَلَّكُمْ تَخْلُدُونَ

A mos vallë në çdo kodrinë po ngrini përmendore, për t’u tallur, dhe ngrini pallate, sikur do të jetoni gjithmonë?”[11]

Përgjithësisht, ndërtesat sikur pallatet, fortesat, shtëpitë dhe ndërtesat e tjera, ose ndërtohen si vendbanime për nevojë dhe nevojat janë të larmishme dhe dallojnë; kjo është prej gjërave të lejuara dhe me nijet të mirë mund të arrihet tek e mira.

Ose këto ndërtesa mund të jenë fortesa mbrojtëse nga të këqijat dhe armiqtë, mund të jenë llogore me të cilat mbrohet vendi, apo tilla gjëra të ngjashme që janë në dobi të muslimanëve dhe i mbrojnë nga të këqijat; kjo është prej llojit që bën pjesë tek xhihadi në rrugë të Allahut, bën pjesë tek urdhëri për t’u mbrojtur nga armiqtë.

Ose këto ndërtesa mund të jenë për krekosje, për mendjemadhësi, për dhunimin e njerëzve dhe shpërdorimin e pasurisë që është për obligim shpenzimi i saj në rrugë të dobishme; kjo është prej llojit të qortueshëm, të cilin Allahu ia ka qortuar Adit dhe popujve të tjerë.

  • Prej dobive është se: mendjet, mençuria, fuqia materiale që rrjedhin prej tyre, përfundimet dhe efektet që lidhen me to, edhe nëse janë të mëdhaja dhe arrijnë masa të mëdha, nuk i bëjnë dobi njeriut nëse nuk janë të shoqëruara me besimin e Allahut dhe pejgamberëve të Tij.

Sa i përket mohuesit të argumenteve të Allahut, atij që përgënjeshtron pejgamberët e Tij, ai edhe po të lihet të vazhdojë të joshjet pas dynjasë, përfundimi i tij do të jetë i mjerueshëm. Dëgjimi, shikimi dhe mendja e tij nuk do t’i bëjnë dobi kur të vijë dënimi i Allahut, siç ka thënë për Adin:

وَلَقَدْ مَكَّنَّاهُمْ فِيمَا إِن مَّكَّنَّاكُمْ فِيهِ وَجَعَلْنَا لَهُمْ سَمْعًا وَأَبْصَارًا وَأَفْئِدَةً فَمَا أَغْنَىٰ عَنْهُمْ سَمْعُهُمْ وَلَا أَبْصَارُهُمْ وَلَا أَفْئِدَتُهُم مِّن شَيْءٍ إِذْ كَانُوا يَجْحَدُونَ بِآيَاتِ اللَّهِ وَحَاقَ بِهِم مَّا كَانُوا بِهِ يَسْتَهْزِئُونَ

Ne i kishim bërë ata më të fuqishëm se ju dhe u kishim dhënë atyre dëgjimin, shikimin dhe zemrën, por as dëgjimi i tyre, as shikimi i tyre e as zemra e tyre, nuk u sollën kurrfarë dobie, sepse mohuan argumentet e Allahut; ata i goditi ajo me të cilën talleshin.”

Ndërsa në një ajet tjetër ka thënë:

فَمَا أَغْنَتْ عَنْهُمْ آلِهَتُهُمُ الَّتِي يَدْعُونَ مِن دُونِ اللَّهِ مِن شَيْءٍ لَّمَّا جَاءَ أَمْرُ رَبِّكَ ۖ وَمَا زَادُوهُمْ غَيْرَ تَتْبِيبٍ

Idhujt që ata i adhuronin në vend të Allahut, nuk i ndihmuan aspak, kur erdhi dënimi i Zotit tënd dhe nuk iu shtuan atyre kurrgjë tjetër, përveç humbjes.”[12]

 

Burimi: Tejsirul Latif el Mennan 190-194.

Përktheu: Besmir Cacani

________________________

[1] Fussilet: 15.

[2] Esh-Shuara’: 154.

[3] Hud: 54-56.

[4] El Ahkaf: 24.

[5] El Ahkaf: 24.

[6] El Ahkaf: 24-25.

[7] El Hakkah: 7.

[8] El Ahkaf: 25.

[9] Hud: 60.

[10] El Ahkaf: 27.

[11] Esh-Shuara’: 128-129.

[12] Hud: 101.