REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

FikhPastërtia

Gjërat që e bëjnë të obliguar guslin – Shejh Muhamed el Uthejmin

Pyetja: 73: shejh i nderuar! Cilat janë gjërat që e bëjnë të obliguar guslin? Dhe cila është forma e marrjes së tij?

Përgjigjja: format e guslit janë dy: formë e obliguar, që është përfshirja e të gjithë trupit me ujë, bashkë me shpërlarjen e gojës dhe futjen e ujit në hundë. Nëse e lan të gjithë trupin me ujë, me çfarë do forme, atëherë personi ka marrë gusël. Forma e dytë: është forma e plotë, e cila është marrja e guslit siç e merrte Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Nëse merr gusël nga xhunublleku, atëherë i lan duart, pastaj lan organin dhe pjesët që janë ndotur nga xhubublleku. Pas kësaj, merr abdes të plotë sipas formës që përmendëm tek abdesi. Më pas, e lan kokën tre herë me ujë të bollshëm dhe në fund lan pjesën e mbetur të trupit. Kjo është forma e guslit.

Lidhur me gjërat që e bëjnë të obliguar guslin, tek to bën pjesë derdhja e spermës me epsh duke qenë i zgjuar apo në gjumë, mirëpo nëse derdh në gjumë, duhet të marrë patjetër gusël, edhe nëse nuk ka ndjerë epsh, sepse ai që fle gjumë mund të derdhë pa e ndjerë. Nëse nga njeriu del sperma me epsh, atëherë ai duhet të marrë gusël në të gjitha rastet.

E dyta: marrëdhëniet seksuale. Nëse burri kryen marrëdhënie me gruan e tij, atëherë ai duhet të marrë gusël. Marrëdhënie konsiderohet futja e kokës së organit mashkullor në organin femëror. Nëse koka e organit mashkullor futet në organin femëror, atëherë ai duhet të marrë gusël, sepse Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Duhet përdorur uji kur derdhet uji.”[1] D.m.th. se gusli duhet marrë kur derdhet sperma. Në një tjetër rast, Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nëse burri shtrihet mes gjymtyrëve të gruas, pastaj kryen marrëdhënie me të, atëherë duhet të marrë gusël edhe nëse nuk derdhë.”[2]

Kjo çështje, d.m.th. marrëdhëniet pa derdhje të spermës, shumë njerëz nuk e dinë. Madje disa njerëzve i kalojnë javë të tëra, apo muaj duke kryer marrëdhënie me gruan e tij pa derdhur, mirëpo nuk merr gusël nga padituria. Kjo çështje është e rrezikshme. Njeriu duhet të dijë caqet e gjërave që ka zbritur Allahu dhe Pejgamberi i Tij. Nëse njeriu kryen marrëdhënie me gruan e tij dhe nuk derdhë, atëherë duhet të marrin gusël që të dy, për shkak të hadithit që sapo përmendëm.

Prej gjërave që e bëjnë të obliguar guslin janë menstruacionet dhe lehonia. Nëse gruas i vijnë menstruacionet dhe më pas pastrohet, atëherë ajo duhet të marrë gusël, sepse Allahu i Lartësuar ka thënë:

فَاعْتَزِلُوا النِّسَاءَ فِي الْمَحِيضِ ۖ وَلَا تَقْرَبُوهُنَّ حَتَّىٰ يَطْهُرْنَ ۖ فَإِذَا تَطَهَّرْنَ فَأْتُوهُنَّ مِنْ حَيْثُ أَمَرَكُمُ اللَّهُ

“Prandaj, gjatë kohës së menstruacioneve, mos iu afroni atyre (për marrëdhënie) derisa të pastrohen. Pasi të pastrohen, atëherë afrohuni tek ato ashtu si ju ka urdhëruar Allahu.”[3]

Po ashtu, Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka urdhëruar gruan me menstruacione që të marrë gusël kur të pastrohet,[4] e tillë është edhe e lehona, andaj gruaja duhet të marrë gusël.

Forma e marrjes së guslit në rast menstruacinesh apo lehonie, është sikur forma e marrjes në rast xhunublleku, vetëm se dijetarët janë të mendimit se për rastin e menstruacioneve, pëlqehet që gruaja të lahet me sidër, pasi është më e mirë për pastrim.

Disa dijetarë kanë përmendur se prej gjërave që e bëjnë të obliguar guslin është edhe vdekja. Për këtë gjë, ata janë argumentuar me fjalën e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem që ia pat thënë grave të cilat po lanin vajzën e tij: “Lajeni tre herë, apo pesë, apo shtatë, apo më shumë herë nëse e shikoni të arsyeshme.”[5] Po ashtu, Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem pat thënë për burrin që e pat shkelur deveja e tij në Arafat, ndërsa ishte i veshur me ihramin e haxhit: “Lajeni me ujë dhe me sidër, pastaj qefinoseni me dy rroba.”[6] Bazuar mbi këto hadithe, ata kanë thënë se vdekja është prej gjërave që e bën të obliguar guslin, mirëpo në këtë rast ky obligim është për të gjallë, sepse të vdekurit i janë ndërprerë obligimet e tija me vdekjen e tij.

Obligim për të gjallët do të thotë se ky urdhër për larjen e të vdekurit i drejtohet të gjallit, sepse i vdekuri do të lahet, ndërsa i gjalli do ta lajë. Njerëzit e gjallë duhet të kryejnë obligimet që kanë, të lajnë të vdekurit e tyre, sepse këtë gjë e ka urdhëruar Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.

 

Burimi: Fik’hul ibadat fq. 122-124.

Përktheu: Besmir Cacani

____________________

[1] Transmeton Muslimi, kitabul hajdi, babu innemel mau minel mai, nr. 343.

[2] Transmeton Buhariu, kitabul gusli, babu idhe iltekal hitanani, nr. 291, Muslimi, kitabul hajdi, babu neskhil mai minel mai ue vuxhubul gusli biltika el hitanejn, nr. 348.

[3] El Bekare: 222.

[4] Transmeton Muslimi, kitabul hajdi, babul mustehadati ue gusliha ue salatiha, nr. 334.

[5] Transmeton Buhariu, kitabul xhenaiz, babu gaslil mejjiti ue vuduihi bil mai, nr. 1253, Muslimi, kitabul xhenaiz, babun fi kefnil mejjit, nr. 939.

[6] Transmeton Buhariu, kitabul xhenaiz, babul kefeni fi theubejni, nr. 1265, Muslimi, kitabul haxh, babu ma juf’alu bil muhrimi idhe mete, nr. 1206.