REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

Tefsir

Komentimi i ajetit: Kur atyre u vjen ndonjë lajm i rëndësishëm që ka të bëjë me sigurinë ose frikën – Shejh AbdurRahman es-Sadij

Allahu i Lartësuar thotë:

 

وَإِذَا جَاءَهُمْ أَمْرٌ مِنَ الأَمْنِ أَوِ الْخَوْفِ أَذَاعُوا بِهِ وَلَوْ رَدُّوهُ إِلَى الرَّسُولِ وَإِلَى أُولِي الأَمْرِ مِنْهُمْ لَعَلِمَهُ الَّذِينَ يَسْتَنْبِطُونَهُ مِنْهُمْ وَلَوْلا فَضْلُ اللَّهِ عَلَيْكُمْ وَرَحْمَتُهُ لاتَّبَعْتُمُ الشَّيْطَانَ إِلا قَلِيلا

 

“Kur atyre (hipokritëve ose muslimanëve të dobët) u vjen ndonjë lajm i rëndësishëm që ka të bëjë me sigurinë ose frikën, ata e përhapin (pa e vërtetuar mirë). Por, në qoftë se këtë lajm do t’ia përcillnin (për shqyrtim) të Dërguarit dhe parisë, hulumtuesit do ta merrnin vesh prej tyre (se çfarë lajmi duhet përhapur e çfarë jo). Sikur të mos ishte mirësia e Allahut dhe mëshira e Tij, ju të gjithë do të ndiqnit shejtanin, përveç një numri të vogël.” En-Nisa’: 83.

 

Shejh AbdurRahman es-Sadij, Allahu e mëshiroftë, thotë:

 

Ky është një edukim nga ana e Allahut nga kjo vepër e papërshtatshme të njerëzve. Në rastin kur atyre u vjen ndonjë lajm i rëndësishëm dhe prej interesave të përgjithshme që lidhen me sigurinë, gëzimin e besimtarëve apo frikën që përmban fatkeqësi për ta, ata duhet ta vërtetojnë lajmin dhe mos të nguten në përhapjen e tij. Përkundrazi, ata duhet t’ia kthejnë të Dërguarit, parisë (kryetarëve) të tyre dhe të diturve; njerëzve të dijes, të këshillës, të mençurisë dhe seriozitetit, të cilët njohin çështjet, njohin dobitë dhe dëmet.

 

Nësa ata shikojnë në përhapjen e lajmit dobi, gjallëri për besimtarët dhe gëzim për ta, apo shikojnë mbrojtje për besimtarët nga armiqtë e tyre, atëherë ata e përhapin lajmin. E nëse nuk shikojnë ndonjë dobi, apo shikojnë dobi mirëpo dëmi është më i madh se dobia, në këtë rast nuk e përhapin lajmin, e për këtë Allahu ka thënë: “…hulumtuesit do ta merrnin vesh prej tyre (se çfarë lajmi duhet përhapur e çfarë jo)…”, d.m.th. i nxjerrin këto përfundime përmes mençurisë dhe mendimeve të qëlluara, po ashtu përmes diturive të drejta.

 

Ky ajet përmban argumentin për një rregull edukativ, i cili është se: në rastin kur ndodh një hulumtim për ndonjë çështje, ky hulumtim duhet t’i ngarkohet njerëzve kopetentë dhe asnjëri të mos dalë përpara tyre. Kjo, është më afër të drejtës dhe më larg gabimit.

 

Gjithashtu, ajeti përmban ndalesë nga ngutja dhe nxitimi për të përhapur çështjet kur ato dëgjohen, përmban urdhër për reflektim dhe shqyrtim përpara se të flitet; a është kjo çështje dobi që të përhapet? Apo nuk është e tillë dhe të distancohet prej saj?

 

Më pas, Allahu teala ka thënë: “Sikur të mos ishte mirësia e Allahut dhe mëshira e Tij”, d.m.th. në suksesin që ju ka dhënë, në edukimin dhe në mësimin tuaj të asaj që nuk e dinit, “ju të gjithë do të ndiqnit shejtanin, përveç një numri të vogël”, sepse njeriu si natyrë është i padrejtë dhe i paditur; vetja e tij nuk e urdhëron për tjetër veç të keqes. Nëse njeriu i drejtohet Zotit të tij, nëse ai i përbahet dhe përpiqet në këtë gjë, atëherë Allahu është i Butë me të dhe i jep sukses drejt çdo të mire dhe e mbron nga shejtani i mallkuar.

 

Burimi: Tejsirul Kerimi er-Rahman.

Përktheu: Besmir Cacani